Shpërthimin e kanalit Ibër-Lepenc, Policia e Kosovës e ka quajtur akt terrorist.
Shpërthimi që ndodhi natën e së premtës, sipas Policisë, është akt i kryer nga një apo disa persona.
Policia, përpos informatave që ndau përmes njoftimit, kërkoi ndihmë nga qytetarët për çdo informacion që ata mund të kenë.
Në njoftim, Policia ka thënë se janë duke kryer hetimet e duhura për ta zbardhur rastin.
Sipas tyre, shpërthimi i kanalit ka shkaktuar dëme të mëdha materiale.
”Nga Policia e Kosovës dhe institucionet kompetente, janë ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë, të ndalimit të rrjedhjes së ujit si dhe mundësisë së sanimit të kanalit të ujit.
Njëkohësisht, nga Policia e Kosovës, njësia për trajtimin e materialeve eksplozive po kryen hetime intensive dhe ekzaminime në vendin e ngjarjes, nga të cilat është konstatuar se shpërthimi/detonimi ka qenë sulm i qëllimshëm, akt kriminal terrorist i kryer nga persona të dyshuar.”
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka rritur masat e sigurisë në lokacionet sensitive dhe do të vazhdojë të punojë intensivisht drejt zbardhjes dhe ndriçimit të rastit.
”Policia e Kosovës do të përdorë të gjitha aftësitë dhe asistencën nga komuniteti ndërkombëtar për të hetuar provat dhe për të gjetur personat përgjegjës për dëmtimin e furnizimit me ujë të vendit, furnizimin e termocentraleve dhe të Zubin Potokut, e që mund të dëmtojë qytetarët”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë.
Policia tha se do të përpiqen, së bashku, për të gjetur individët përgjegjës për këtë rast dhe për sulmet e tjera ndaj stacionit të policisë në Zveçan dhe ndërtesës së komunës.