Errët
Ndritshëm

“Bixhoz me aleancat”, Kurti i replikon Osmanit

29.11.2024
313885

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka komentuar deklaratat e presidentes, Vjosa Osmani, e cila në fjalimin e saj vjetor në Kuvend ndër të tjera ka thënë se nuk bën të luhet bixhoz me partnerët ndërkombëtarë.

Kurti është përgjigjur se gjithmonë ka qenë në komunikim edhe me presidenten sa i përket politikës së jashtme.

“Unë vazhdimisht kam qenë në komunikim, bashkërendim me presidenten Osmani, kryeparlamentarin Konjufca dhe ministren Gërvalla sa i përket politikes së jashtme. Të arriturat i kemi të përbashkëta dhe kësisoj duhet të vazhdohet. Të gjitha vështirësitë, sfidat nuk ka të tilla që nuk i tejkalojmë. Besoj që kurrë nuk ka qenë veriu më i sigurt se tani”, ka thënë ai nga Podujeva të premten ku u vu gurthemeli të tri projekteve.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se vënia në rrezik dhe luajtja bixhoz me aleancat e cenon mbrojtjen e Republikës së Kosovës, derisa ka kërkuar punë e angazhim për të ruajtur bashkëpunimin me ta.

Në adresimin vjetor në Kuvend të enjten, Osmani u shpreh se nuk i ka kuptuar talljet që bëhen në llogari të aleatëve e as përmendjen e emrave të tyre për të fituar pushtet. Sipas saj, aleanca me ata që ndihmuan të bëhet shteti i Kosovës nuk është as nënshtrim e as shantazhim.

“Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm dhe asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Rëndësia dhe forcimi i aleancave është i paçmueshëm. Dobësimi i aleancave është gabimi strategjik. Aleanca me ata që na ndihmuan ta kemi shtetin nuk është nënshtrim e as shantazhim. Besoj që forca më e madhe e jonë qëndron te partneritetet. Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik dhe luajtja bixhoz me to e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Nuk i kam kuptuar as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, as keqpërdorimet e emrave të tyre për të fituar pushtet… as njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Duhet shumë punë dhe angazhim për të ruajtur aleancat me partnerët”, ka thënë ajo.

Errët
Ndritshëm