Grupi 1 i Ligës B të Ligës së Kombeve është shumë i ngushtë dhe i ndërlikuar, me vetëm tre pikë që ndajnë Çekinë, që kryeson renditjen, nga Ukraina që është në vendin e katërt.
Shqipëria, që luan sonte në shtëpi ndaj Ukrainës, ka vetëm një objektiv: fitoren.
Ekipi i trajnerit Sylvinho mund të renditet i pari në grup nëse arrin të mundë Ukrainën, dhe njëkohësisht nëse Çekia dhe Gjeorgjia përfundojnë baraz mes tyre. Nga ana tjetër, Ukraina do të luftojë deri në fund për të shmangur rënien në Ligën C, duke e konsideruar këtë ndeshje si të vetmen mundësi për të shpëtuar.
Fituesi i grupit do të sigurojë ngjitjen në Ligën A, ndërsa ekipi që renditet i dyti do të ketë mundësinë të garojë në një play-off për të kërkuar një vend në Ligën A. Skuadra që përfundon në vendin e tretë do të zhvillojë një tjetër play-off për të shmangur rënien në Ligën C, ndërsa ekipi që mbyll grupin në vendin e katërt do të zbresë pikërisht në këtë kategori.
Për ndeshjen e sotme, trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, tha:
“Padyshim, ne kërkojmë fitoren. Kjo është një finale për ne, mundësia jonë e fundit, por gjithsesi, nuk varet vetëm nga ne. Asnjë trajner nuk përgatit skuadrën për barazim, por siç e dimë, në futboll mund të ndodhë gjithçka.”
Shqipëria ka përpara një mundësi të artë për të shpëtuar shpresat e saj për ngjitjen në Ligën A, por gjithçka do të varet nga performanca në këtë ndeshje vendimtare dhe rezultati i sfidës tjetër mes Çekisë dhe Gjeorgjis.