Të jesh tifoz për Real Madridin në ditët e sotme është një sfidë e vërtetë, pasi ekipi po përballet jo vetëm me vështirësi në rezultatet e ndeshjeve, por edhe me një listë të gjatë lojtarësh të dëmtuar. Në ndeshjen e fundit kundër Osasunas, tre futbollistë u detyruan të linin fushën para kohe: Rodrygo, Militao dhe Lucas Vázquez. Aktualisht, janë gjithsej shtatë lojtarë të lënduar që po përjetojnë periudha të vështira rikuperimi.
Ja lista e lojtarëve të lënduar dhe kur pritet rikthimi i tyre:
David Alaba: Shkëputja e ligamentit të kryqëzuar të përparmë në gjurin e majtë. Pritet rikthimi në fillim të vitit 2025.
Dani Carvajal: Lëndim i trefishtë që prek muskulin e kryqëzuar, ligamentin kolateral të djathtë dhe këputjen e muskulaturës.. Ai do të humbasë të gjithë sezonin 2024/25.
Thibaut Courtois: Lëndimi i muskujve të këmbës së majtë. Nuk ka informacion kur pritet rikthimi i tij.
Aurélien Tchouaméni: Ligamentet e ndrydhura në këmbën e majtë. Rikthimi pritet në fillim të dhjetorit.
Lucas Vázquez: Shqetesim në kofshën e majtë. Pritet të mungojë një muaj.
Rodrygo: Shqetesim në ijën e djathtë. Pritet të mungojë një muaj.
Éder Militão: Këputje e plotë e ligamentit të kryqëzuar anterior me dëmtim të të dy meniskut. Ai do të mungojë gjatë gjithë sezonit.
Ndërkohë, trajneri Carlo Ancelotti ka lënë të kuptojë më parë se është i gatshëm të shfrytëzojë mundësitë e tregut të transferimeve të janarit, në një përpjekje për të mbushur boshllëqet që kanë lënë këto dëmtime të shumta.