Punëtorët e KEK-ut po protestojnë sot me kërkesën për rritje pagash.
Në protestën që po mbahet në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, te zyrat e KEK-ut, ata gjithashtu po kërkojnë pagesë për rrezikshmëri në punë si dhe pagesë për punën gjatë fundjavës.
Kryetari i Sindikatës së Re Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, tha se ngritja e pagave është e domosdoshme për mirëqenien dhe drejtësinë e punëtorëve.
Ai ka paralajmëruar hapa të tjerë sindikalë nëse nuk ka përmirësime konkrete në këtë drejtim.
“Sot jemi këtu për kërkesat tona që i kemi bërë që nga fillimi i vitit, pra faktikisht që nga viti 2011 kur është ligji i punës, kemi kërkuar ngritjen e pagave sepse nga viti 2018 deri më tani inflacioni është mbi 30% kurse pagat janë ngritur vetëm me 70 euro. Kemi kërkuar për ngritjen e pagave për arsye se tregu i punës në Kosovë ka ndryshuar”.
“Kërkesa tjetër është pagesa e rrezikshmërisë ne në Korporatën Energjetike të Kosovës i përcjellim në botën tjetër 30 punëtorë në vit mesatarisht, nuk ka vend në Kosovë as në Evropë që ka rrezikshmëri më të lartë se sa punëtorët e KEK-ut. Paramendojeni një kompani më e fuqishmja në Kosovë ku nuk e respekton ligjin e punës, çfarë po presim nga të tjerët, të gjitha shtetet e botës punojnë për zbatimin e ligjit e në Kosovë po duhet me protestuar për zbatimin ligjit”.