Errët
Ndritshëm

Avokatët e Thaçit duan të tërhiqen, ankohen për mospagesë

30.01.2024
Thaci1689850693

Gregory Kehoe, Joe Reeder, “Greenberg Legal Associates” dhe anëtarët e kësaj kompanie, kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e Hashim Thaçit në rastin e tij në Gjykatën Speciale.

Si shkak në kërkesë është përmendur moskryerja e obligimeve ndaj tyre.

“Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Associates Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimi nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Në njoftim është përfshirë kërkesa zyrtare e mbrojtjes së Thaçit, derisa thuhet se sipas rregullores, kur të caktohet grupi tjetër i mbrojtjes, avokatët paraprak duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë “në një periudhë prej jo më shumë se 45 ditë”.

Ministria e Drejtësisë ka thënë se në asnjë moment nuk i ka vonuar pagesat për mbrojtjen e të akuzuarve që po mbahen në Hagë.

Ndërsa në një njoftim në Facebook, kjo Ministri ka thënë se për mbrojtësit e Thaçit ka paguar deri tash mbi 3.5 milionë euro. Sipas MD-së, pagesat bëhen vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje. Në këtë rast, sipas ministrisë, pagesat për Thaçin i janë bërë vetëm avokatit Luka Misetiq.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka vendosur që të mërkurën nga ora 16:00 të diskutohet lidhur me mbrojtjen e Thaçit.

Në seancën e së martës ai ka kërkuar që edhe Thaçi të jetë i pranishëm të mërkurën në seancë.

Errët
Ndritshëm