Errët
Ndritshëm

I dyshuari për vrasjen në Suharekë ishte dënuar me 19 vjet burgim në Zvicër për vrasjen e bashkëshortes

18.11.2026

I dyshuari për vrasjen e 60-vjeçarit në Suharekë ishte dënuar më parë në Zvicër me 19 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Ai kishte vuajtur 13 vjet burgim nga ky dënim, ndërsa sipas informacioneve të siguruara, nuk kishte të kaluar kriminale në Kosovë.

60-vjeçari S.D. u vra sot në Suharekë, pasi u qëllua disa herë me armë zjarri, rreth orës 12:30.

I dyshuari Rr.H. u arrestua në afërsi të fshatit Nepërbisht, teksa po tentonte të largohej nga vendi i ngjarjes.

Policia ka bërë të ditur se viktima fillimisht ishte dërguar në Emergjencë për trajtim mjekësor, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Ndërkohë, arma që dyshohet se u përdor në vrasje është sekuestruar.

Sipas dëshmitarëve, para të shtënave kishte pasur fjalosje, ndërsa viktima u qëllua në prani të familjarëve të të dyshuarit, të cilët ndodheshin në veturë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.

Errët
Ndritshëm