Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Shqipërisë, i cili dyshohet se ka importuar pa autorizim narkotikë në Kosovë.
Sipas aktakuzës, më 8 shtator 2026, rreth orës 19:30, i pandehuri është ndaluar në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, pasi kishte hyrë në Kosovë me autobus nga Shqipëria.
Gjatë kontrollit të çantës së tij janë gjetur 2 kilogramë e 162 gramë marihuanë, një sasi tjetër prej 2.13 gramësh dhe një peshore elektrike.
Prokuroria dyshon se substanca narkotike ishte siguruar në Shqipëri dhe ishte destinuar për shpërndarje dhe shitje në Ferizaj.
I pandehuri ndodhet në paraburgim, ndërsa Prokurori i çështjes ka kërkuar që pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, ai të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.