Me 99 vota pro, Kuvendi i Kosovës i ka dhënë një përgjigje unike aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në seancën e sotme, deputetët kanë miratuar një deklaratë zyrtare ku hidhet poshtë si i papranueshëm konkluzioni për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, duke e quajtur këtë një përpjekje të padrejtë për të njollosur luftën e pastër çlirimtare të popullit të Kosovës.
Çfarë parashikon deklarata e miratuar sot?
Kuvendi ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara që t’i përmbahen mandatit të tyre dhe të mos barazojnë viktimat me agresorin.
Të gjitha institucionet e vendit janë ngarkuar me detyrë urgjente që të bashkohen në një strategji të përbashkët shtetërore, juridike, institucionale dhe diplomatike për të mbrojtur të vërtetën historike.
Dokumenti thekson qartë se liria e Kosovës është rrënjosur te sakrifica e brezave, rezistenca paqësore e Presidentit Ibrahim Rugova, lufta e lavdishme e UÇK-së dhe mbështetja e aleatëve perëndimorë e NATO-s.
Në këtë seancë u votuan edhe 16 komisione parlamentare, si dhe u votua edhe nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku.