Errët
Ndritshëm

“Liria ka emër” thërret në marsh më 1 tetor në Prishtinë

22.09.2026

Platforma “Liria ka emër” ka thirrur qytetarët në marsh më 1 tetor në Prishtinë, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët javën e kaluar u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Marshi do të mbahet nën moton “Jo në emrin tim”.

Platforma ka bërë të ditur se do të iniciojë edhe një peticion qytetar, i cili synohet të dërgohet simbolikisht në Bruksel, Strasburg dhe Hagë.

Në një konferencë për media, përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, ka kërkuar koordinim të institucioneve të Kosovës dhe angazhim të spektrit politik, diplomatëve, shoqërisë civile, ekspertëve dhe mërgatës.

Tasholli ka kërkuar nga institucionet që të tregojnë qartë se cila është strategjia e Kosovës për fazën e re të procesit dhe çfarë mbështetjeje juridike e financiare do t’u ofrohet ekipeve mbrojtëse.

Ai ka bërë thirrje edhe për një mbledhje urgjente të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, me qëllim të koordinimit të mbështetjes institucionale për mbrojtjen juridike në këtë proces.

Errët
Ndritshëm