Errët
Ndritshëm

Dortmundi qetëson tifozët për Karetsas: “Ndihet mirë”

11.09.2026

Lajme inkurajuese kanë ardhur për gjendjen e Konstantinos Karetsas, i cili u detyrua të largohej nga fusha me barelë në minutën e 27-të të ndeshjes së Borussia Dortmundit ndaj Villarrealit në Ligën e Kampionëve, për shkak të problemeve me qarkullimin e gjakut. Kështu raporton Tutto Mercato.

Dy ditë më vonë, drejtori sportiv i Borussia Dortmundit, Nils Buk, i qetësoi tifozët për gjendjen e mesfushorit grek:

“Duke pasur parasysh rrethanat, ai ndihet mirë.”

Buk shtoi se kontrollet mjekësore janë ende duke vazhduar për të përcaktuar shkakun e problemeve me qarkullimin e gjakut, të cilat bënë që lojtari të shtrohej në spital menjëherë pas ndeshjes.

Për këtë arsye, ende nuk dihet se kur 18-vjeçari do të rikthehet në fushë. Ai do ta humbasë ndeshjen e Bundesligës ndaj Paderbornit, pasi klubi po i jep përparësi shëndetit të tij.

Buk përjashtoi, të paktën për momentin, ndonjë lidhje me probleme serioze të zemrës.

“Për momentin nuk duket se bëhet fjalë për një situatë të tillë. Tani për tani jemi mjaft optimistë”, deklaroi ai.

Drejtori sportiv tha gjithashtu se Dortmundi kishte kontrolluar nëse kishte ndonjë lidhje me sëmundjen që kishte prekur lojtarin e ri Jan-Luca Riedel po në të njëjtën ditë, por nuk u gjet asnjë faktor i përbashkët, përfshirë edhe ushqimin.

Mesfushori 18-vjeçar iu bashkua Dortmundit nga Genk këtë verë për 30 milionë euro. Karetsas ka bërë pesë paraqitje këtë sezon dhe ka regjistruar një asistim. Ai ka kontratë me klubin deri në vitin 2031.

Errët
Ndritshëm