Errët
Ndritshëm

Më 12 shtator mbahet Marshi për Liri në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

11.09.2026

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në “Marshin për Liri”, që do të mbahet të shtunën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në konferencën e mbajtur të premten, përfaqësuesit e LKE-së, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, njoftuan se në marsh janë ftuar të flasin liderët e katër partive parlamentare shqiptare.

Sipas tyre, pozitivisht janë përgjigjur vetëm kryetari i PDK-së, Bedri Hamza dhe ai i AAK-së, Ardian Gjini.

Në marsh do të flasin edhe Hysni Gucati, Liriona Sulejmani, Buna Mustafa, si dhe përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”.

Organizatorët kanë njoftuar se është siguruar transport me autobusë nga qytetet e Kosovës.

“Ejani me familjet tuaja, ejani me fëmijët tuaj, ejani me prindërit tuaj, me miqtë tuaj, ejani të gjithë bashkë në Marsh më 12 shtator, në orën 14:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’”, tha Eliza Hoxha.

Ndërkaq, Ismail Tasholli u ka bërë thirrje qytetarëve që marshimi të jetë sa më masiv, qytetar, familjar dhe paqësor.

Gjykata Speciale më 16 shtator pritet të shpallë vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Errët
Ndritshëm