Barcelona ka shtuar në listën e alternativave për sulmin edhe Lautaro Martinezin, pasi negociatat me Atletico Madridin për transferimin e Julian Alvarez kanë ngecur.
Sipas “El Desmarque”, 28-vjeçari argjentinas është një nga opsionet kryesore të katalanasve në rast se dështon marrëveshja për Alvarez. Barcelona pritet të hapë kontakte me Interin për të mësuar mundësinë e transferimit të kapitenit zikaltër.
Lautaro nuk është emër i panjohur për Barcelonën, pasi argjentinasi është lidhur disa herë më parë me klubin spanjoll. Megjithatë, nevoja aktuale e Barcelonës për një sulmues e bën këtë interesim më konkret.
Martinez është ndër sulmuesit më produktivë në Evropë gjatë dekadës së fundit dhe konsiderohet një legjendë e Interit. Ai ka kontratë me klubin italian deri në vitin 2029.
Që nga transferimi në Inter në vitin 2018, Lautaro ka zhvilluar 376 ndeshje, duke shënuar 175 gola dhe dhënë 56 asistime.
Sipas Transfermarkt, vlera e tij aktuale në treg është rreth 85 milionë euro.
Megjithatë, për ta bindur Interin të heqë dorë nga kapiteni i saj, Barcelona do të duhet të bëjë një ofertë të konsiderueshme.