Dy infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se kanë përvetësuar para nga pagesat e pacientëve për shërbime mjekësore.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policisë së Kosovës, të dyshuarit janë kryeinfermieri Xh.B. dhe infermieri B.R.
Hetimet kanë nisur në qershor të këtij viti, ndërsa dyshohet se veprat janë kryer gjatë ndërrimeve të natës në periudhat gusht-nëntor 2024 dhe shkurt-dhjetor 2025.
Sipas Prokurorisë, Xh.B. dyshohet se ka përvetësuar 1,250 euro, ndërsa B.R. 1,032 euro. Në total, shuma e dyshuar arrin në 2,282 euro.
Pas intervistimit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë për veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë dhe nuk përjashtohet mundësia e zgjerimit të tyre.