PSG ka arritur marrëveshje verbale me talentin e RB Leipzigut, Yan Diomande, për një kontratë pesëvjeçare, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, janë dakorduar edhe kushtet financiare, ndërsa vetë lojtari dëshiron transferimin në Paris. Tashmë mbetet vetëm që PSG të gjejë gjuhën e përbashkët me Leipzigun për shumën e transferimit.
Klubi gjerman shpreson ta mbajë 19-vjeçarin edhe për një sezon, ndërsa më herët kishte refuzuar një ofertë prej 100 milionë eurosh, përfshirë bonuset, nga Liverpooli, duke kërkuar një shumë edhe më të lartë.
Diomande iu bashkua Leipzigut verën e kaluar dhe pati një sezon të jashtëzakonshëm në Bundesligë. Në 36 paraqitje, reprezentuesi i Bregut të Fildishtë shënoi 13 gola dhe dhuroi 10 asistime.
Kontrata e tij me Leipzigun është e vlefshme deri në vitin 2030, ndërsa sipas Transfermarkt, vlera e tij në treg është rreth 90 milionë euro.