Ylli i Barcelonës, Raphinha, po kalon një periudhë të vështirë si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle dhe braziliane, braziliani dyshohet se është mashtruar financiarisht nga babai i tij, Rafael Belloli, i cili për vite me radhë ka menaxhuar të ardhurat e futbollistit.
Pretendohet se babai i Raphinhas ka përvetësuar deri në 80 për qind të fitimeve nga të drejtat e imazhit dhe kontratat komerciale, pa ia bërë të qarta futbollistit kushtet financiare.
Situata doli në pah kur Raphinha dhe bashkëshortja e tij tentuan të blinin një shtëpi me vlerë 10 milionë euro, por bankat i njoftuan se gjendja e tij financiare ishte shumë më e dobët sesa ai besonte.
Edhe pse Raphinha nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre pretendimeve, mediat raportojnë se ai ka ndërprerë çdo marrëdhënie me babanë e tij dhe menaxhimin e financave ia ka besuar vjehrrit, Alexandre Madeira, i cili ka licencë zyrtare nga FIFA për negocimin e marrëveshjeve sponsorizuese.
Ndërkohë, bashkëshortja e futbollistit ka mohuar se familja ndodhet në vështirësi financiare, por nuk i ka mohuar akuzat kryesore ndaj babait të Raphinhas.
Në të njëjtën kohë, sulmuesi brazilian vazhdon të jetë objektiv i klubeve nga Arabia Saudite. Sipas raportimeve, Al-Hilal i ka ofruar një kontratë me vlerë rreth 170 milionë euro për katër sezone.
Aktualisht, Raphinha po rikuperohet nga një lëndim i pësuar në Kupën e Botës dhe synon të rikthehet sa më shpejt për të ndihmuar Brazilin në fazën eliminatore.