Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka vazhduar kontrollet për verifikimin e njehsorëve elektrikë në territorin e Kosovës.
Gjatë inspektimeve të fundit janë identifikuar pesë njehsorë elektrikë me afat të skaduar të verifikimit metrologjik, për çka ndaj operatorit ekonomik KEDS është shqiptuar gjobë në vlerë prej 25 mijë eurosh.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të garantimit të matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike dhe mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve.
Sipas institucioneve përgjegjëse, të gjithë njehsorët duhet të jenë të verifikuar dhe në përputhje me standardet ligjore dhe metrologjike në fuqi, për të siguruar transparencë dhe besueshmëri në matjen e energjisë elektrike.