Errët
Ndritshëm

Rasti i argjentinases së vrarë në Fushë-Kosovë, mbrojtja kërkon lirimin e Endrit Nikës

22.06.2026

Prokurori i Shtetit dhe familja e argjentinases së vrarë, Maria Clara Urdangaray, kanë kërkuar rritjen e dënimit prej 18 vjetësh burgim për Endrit Nikën, i cili është dënuar për vrasjen e saj në një hotel në Fushë-Kosovë.

Në seancën e mbajtur të hënën në Gjykatën e Apelit, gjyqtari referues Mentor Hajraj bëri të ditur se Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë kërkuar ashpërsimin e dënimit për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Ndërkaq, avokati i familjes së viktimës, Betim Shala, ka kërkuar që Nika të dënohet me burgim të përjetshëm.

Në anën tjetër, avokati mbrojtës i Nikës, Tomë Gashi, ka kërkuar lirimin e klientit të tij, duke pretenduar se vdekja e Maria Clara Urdangaray ishte aksidentale.

Sipas Gashit, viktima kishte rënë pasi ishte mbështetur në kornizat e dritares së objektit ku po qëndronte çifti, për të cilin ai tha se ishte ndërtim pa leje dhe jo hotel.

Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Nikën me 18 vjet burgim në shkurt të këtij viti. Sipas aktakuzës, ai kishte ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij dhe më pas e kishte hedhur nga dritarja e katit të gjashtë të hotelit, në gusht të vitit 2023.

Errët
Ndritshëm