Robert Lewandowski mund të jetë pranë një largimi nga FC Barcelona në drejtim të Juventus, sipas raportimeve të mediave italiane.
Gazeta Tuttosport shkruan se sulmuesi polak 37-vjeçar është i hapur për një transferim te “Bianconerët”, me kusht që klubi italian të sigurojë kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm. Sipas këtyre raportimeve, Juventus shihet nga Lewandowski si opsioni më realist në rast se ai largohet nga Barcelona si lojtar i lirë.
Nga ana tjetër, Barcelona i ka ofruar një zgjatje kontrate deri më 30 qershor 2026, por me ulje të pagës në rreth 50%, një propozim që sulmuesi nuk është i gatshëm ta pranojë.
Agjenti i tij, Pini Zahavi, raportohet se tashmë ka zhvilluar bisedime me Juventusin, ku thuhet se është arritur një marrëveshje paraprake për një kontratë njëvjeçare me vlerë rreth 6 milionë euro plus bonuse.
E ardhmja e Lewandowskit mbetet e hapur, por zhvillimet e fundit tregojnë se një largim nga Barcelona dhe një kalim në Serie A mund të jetë një skenar shumë i mundshëm në verën e ardhshme.