Ipswich Town ka përfunduar sezonin në Championship në vendin e dytë, duke siguruar rikthimin e menjëhershëm në Premier League pas vetëm një sezoni mungesë në elitën e futbollit anglez.
Nën drejtimin e trajnerit Kieran McKenna, skuadra e Ipswich arriti një fitore bindëse 3-0 ndaj Queens Park Rangers në ndeshjen e fundit të javës së 46-të. Me këtë triumf, klubi mbylli sezonin me 84 pikë, duke u renditur i dyti dhe duke siguruar promovimin direkt në Premier League.
Ipswich kishte rënë nga Premier League në sezonin 2024–2025, ku e kishte përfunduar kampionatin në vendin e 19-të, por këtë sezon ka arritur të rikthehet menjëherë në mesin e më të mirëve të Anglisë.
Në garën për promovim, Millwall mbeti në vendin e tretë me 83 pikë, duke iu afruar shumë rikthimit historik në Premier League, por pa arritur të sigurojë vendin automatik të promovimit.
Ndërkohë, kampion i Championship këtë sezon u shpall Coventry City, i drejtuar nga Frank Lampard, me një dominim të plotë në krye të tabelës dhe 95 pikë të grumbulluara.