Errët
Ndritshëm

BE nis transferimin e 61.8 milionë eurove për Kosovën

16.04.2026
Eu Flag

Bashkimi Evropian ka nisur transferimin e 61.8 milionë eurove për Kosovën si parafinancim në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike, pas ratifikimit të marrëveshjeve në Kuvend dhe dorëzimit të dokumentacionit nga Qeveria.

Kjo shumë përfaqëson 7% të paketës totale prej 882.6 milionë eurosh, e cila pritet të shpërndahet deri në vitin 2027 përmes granteve dhe kredive të favorshme. Nga kjo shumë, 28.74 milionë euro tashmë janë derdhur në buxhetin e Kosovës si kredi, ndërsa pjesa tjetër do të kanalizohet përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Fondet janë të lidhura drejtpërdrejt me zbatimin e reformave. Kosova është zotuar për 111 hapa reformash në fusha si sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe tranzicioni i gjelbër e digjital. Pagesat do të bëhen vetëm nëse këto reforma përmbushen brenda afateve të caktuara.

Afati i parë përfshin 13 reforma me vlerë 90.8 milionë euro deri më 30 qershor 2026, ndërsa deri në fund të vitit priten edhe 27 hapa të tjerë me vlerë 165.9 milionë euro.

Zyrtarë të BE-së dhe kryeministri Albin Kurti kanë theksuar se fondet synojnë përshpejtimin e reformave dhe afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian, duke pranuar njëkohësisht se procesi kërkon angazhim të shtuar për të përmbushur obligimet në kohë.

Errët
Ndritshëm