Errët
Ndritshëm

Inflacioni 6.7% në mars, rriten çmimet në gjithë sektorët

10.04.2026
People Carrying Plastic Bags With Products Outdoors, Closeup
People carrying plastic bags with products outdoors, closeup

Inflacioni në muajin mars ka shënuar rritje vjetore prej 6.7 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Rritja e çmimeve ka prekur një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh, me ndikim të veçantë në transportin personal, banimin, energjinë elektrike dhe karburantet. Sipas ASK-së, shërbimet që lidhen me pajisjet e transportit personal janë rritur me 42.5 për qind, duke u renditur ndër faktorët kryesorë të inflacionit.

Ndërkohë, rritje janë regjistruar edhe te ushqimet bazë si mishi, qumështi, pemët dhe perimet. ASK-ja vlerëson se një kilogram mish në mars është shitur mesatarisht me 12.91 euro, ndërsa në tregje çmimi ka arritur deri në rreth 14 euro.

Dallime janë vërejtur edhe te produktet e tjera, ku një litër vaj, sipas ASK-së, ka kushtuar 1.73 euro, ndërsa në markete rreth 1.85 euro. Edhe pse disa produkte, si specat, raportohen më të lira se vitin e kaluar sipas statistikave, në praktikë, në markete dhe tregje çmimet mbeten dukshëm më të larta, duke shkuar deri në 5.29 euro për kilogram.

Qytetarët thonë se rritja e çmimeve po vështirëson përditshmërinë dhe po ul fuqinë blerëse, ndërsa ekonomistët kërkojnë që Qeveria të fokusohet në rritjen e kapaciteteve bujqësore dhe stabilizimin e furnizimeve përmes kontratave afatgjata. Inflacioni i marsit, sipas ekspertëve, vazhdon të mbetet i pranishëm në shumë sektorë, duke rritur presionin mbi buxhetet familjare.

Errët
Ndritshëm