Çmimet e naftës kanë pësuar rënie të fortë të mërkurën, duke zbritur nën pragun simbolik prej 100 dollarësh për fuçi, pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për një armëpushim dyjavor me Iranin.
Sipas Reuters, marrëveshja lidhet drejtpërdrejt me rihapjen e menjëhershme dhe të sigurt të Ngushticës së Hormuzit – një arterie jetike për ekonominë globale, përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës botërore.
Nafta Brent ra me 14.51 dollarë, ose 13.3%, duke zbritur në 94.76 dollarë për fuçi. Ndërkohë, WTI shënoi një rënie edhe më të thellë prej 17.16 dollarësh, ose 15.2%, duke arritur në 95.79 dollarë për fuçi.
Kjo kthesë dramatike në treg erdhi vetëm pak para ultimatumit të SHBA-së ndaj Iranit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit. Në të kundërt, Teherani rrezikonte sulme masive ndaj infrastrukturës civile.
“Ky do të jetë një armëpushim i dyfishtë!”, shkroi Trump në rrjetet sociale, pas deklaratave të ashpra një ditë më parë, kur paralajmëroi për pasoja katastrofike në rast mosrespektimi të kërkesave amerikane”.
Nga ana tjetër, Irani ka sinjalizuar gatishmëri për të ndalur sulmet, me kusht që bombardimet ajrore kundër tij të ndërpriten. Ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, ka bërë të ditur se kalimi i sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit mund të garantohet për një periudhë dyjavore, në koordinim me forcat iraniane.
Megjithatë, terreni mbetet i tensionuar. Disa shtete të Gjirit kanë raportuar lëshime raketash dhe sulme me dronë, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të strehohen. Ekspertët paralajmërojnë se edhe në rast të një marrëveshjeje të përkohshme, rreziku nuk është zhdukur.
“Edhe me paqe, Irani mund të kërcënojë më shpesh Ngushticën e Hormuzit në të ardhmen”, ka thënë analisti i MST Marquee, Saul Kavonic, duke shtuar se tregjet do të vazhdojnë të reflektojnë këtë pasiguri“.
Konflikti SHBA–Izrael me Iranin kishte çuar më herët në një rritje historike të çmimit të naftës, me mbi 50% vetëm gjatë muajit mars. Sipas analistit të Commonwealth Bank, Vivek Dhar, tregu ende nuk ka reflektuar plotësisht “premiumin gjeopolitik” që pritet të mbetet në periudhën e ardhshme.
Ndërkohë, Trump ka konfirmuar se SHBA-ja ka marrë një propozim me 10 pika nga Irani, të cilin e konsideron si bazë për negociata, por ka pranuar se palët janë ende larg një marrëveshjeje përfundimtare.
“Është një fillim i mirë, por ka ende shumë ‘nëse’ për t’u zgjidhur”, ka thënë analisti i IG-së, Tony Sycamore”.
Në një zhvillim interesant të tregut, WTI ka ruajtur një çmim më të lartë se Brent – një përmbysje e rrallë e modeleve tradicionale, për shkak të afatit më të afërt të dorëzimit të kontratave.