Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, do të përballet më 20 prill me pyetjet e deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me pretendimet për bashkëpunim me strukturat e sigurisë të ish-Jugosllavisë. Takimi do të zhvillohet në kuadër të mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme (AFET), duke zëvendësuar seancën e jashtëzakonshme të kërkuar më parë nga Partia Popullore Evropiane (EPP).
Takimi i planifikuar për më 16 mars u anulua nga vetë Kos për shkak të një agjende të ngarkuar, menjëherë pas publikimit të informacioneve të reja mbi biografinë e saj. Akuzat lidhen me pretendimet se Kos ka bashkëpunuar me policinë sekrete jugosllave, UDBA, dokumentet e së cilës janë përmendur në librin “Komisionerja” të autorit slloven, Igor Omerza, i cili u promovua më 10 mars në Parlamentin Evropian.
Komisioni Evropian mohon çdo bashkëpunim të tillë dhe i referohet një procesi të gjerë verifikimi gjatë nominimit të saj nga Sllovenia. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, ka deklaruar se Parlamenti Evropian e miratoi emërimin e saj pa konstatuar konflikt interesi dhe se Komisioni nuk ka komente të mëtejshme.
UDBA u formua në vitin 1946 dhe më vonë u riemërtua si Shërbimi i Sigurimit të Shtetit. Ky shërbim njihet për përndjekjen e kundërshtarëve politikë dhe monitorimin e diasporës. Akuzat ndaj Kos për bashkëpunim dolën për herë të parë në vitin 2024, gjatë seancës për konfirmimin e saj si komisionere, të cilat ajo i ka mohuar vazhdimisht.
Mbledhja e 20 prillit do të jetë hera e parë që Marta Kos do të mund të reagojë pas publikimit të fakteve të reja në librin e lartpërmendur.