Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim katër persona të dyshuar, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për sigurimin e informacioneve që mund të çojnë në lokalizimin e tyre.
Të dyshuarit lidhen me disa vepra të rënda penale, përfshirë fajden, privimin e kundërligjshëm të lirisë dhe detyrimin. Autoritetet policore kanë bërë të ditur se çdo informacion që lidhet me këtë rast do të trajtohet me konfidencialitet të plotë.
Qytetarët mund të bashkëpunojnë duke dërguar të dhëna përmes e-mailit zyrtar të Policisë apo duke kontaktuar në numrat emergjentë të publikuar nga institucionet e rendit.
Ky apel për bashkëpunim vjen në kuadër të përpjekjeve për zbardhjen e rastit dhe vënien para drejtësisë të personave të dyshuar.