Tri zyrtare të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) janë liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit nga organet e drejtësisë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të dyshuarat, në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohet se kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme për t’i mundësuar një personi tjetër përfitim pasuror. Dyshimet lidhen me ndryshimin e pronësisë së aksioneve të kompanisë “N.K.W.P. Sh.P.K.”, në vlerë mbi 50 mijë euro.
Operacioni policor është zhvilluar në mëngjes nga njësitë për krime ekonomike, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.
Ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka bërë të ditur se këto veprime janë pjesë e hetimeve dhe se më herët ishte konstatuar një keqinterpretim i një aktgjykimi, i cili më pas është korrigjuar sipas procedurave ligjore. Ministria ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit.