Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka reaguar pasi Kosova u pajtua që Ligji për të Huajt të nisë zbatimin me disa masa përmbajtësore shtesë.
Institucionet e vendit kishin paralajmëruar më herët nisjen e zbatimit strikt të dy ligjeve: Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet. Në një reagim në rrjetin social X, Kallas e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për të gjithë qytetarët në Kosovë.
“Marrëveshja e sotme për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt shënon një hap të rëndësishëm përpara për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë. Është thelbësore të sigurohet vazhdimësia në ofrimin e shërbimeve publike,” ka deklaruar Kallas.
Ajo shtoi se zbatimi i marrëveshjeve të kaluara mbetet jetik dhe se ky zhvillim krijon një moment të ri për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.
“Ky progres krijon një momentum të ri për Dialogun Beograd–Prishtinë dhe unë jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti,” ka theksuar ajo.
Më herët gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, njoftuan se janë pajtuar që zbatimi i këtyre ligjeve të nisë, por me disa masa shtesë. Për këtë zhvillim ka reaguar edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, e cila e ka mirëpritur marrëveshjen.
“Ambasada gjermane mirëpret marrëveshjen për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet që kryeministri Kurti, përfaqësuesi special i BE-së, Peter Sorensen, dhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav, e prezantuan sot,” thuhet në reagim.