Errët
Ndritshëm

Arrestohet një person për narkotikë dhe armëmbajtje

11.03.2026
Arrestim 780x439

Një person me inicialet L.Sh. është ndaluar për 48 orë, pasi gjatë një bastisjeje në banesën e tij, Policia e Kosovës ka gjetur substanca narkotike, armë dhe mjete të rrezikshme.

Sipas njoftimit të Policisë, aksioni u zhvillua pas një urdhërese me shkrim nga Gjykata e Prizrenit, ndërsa bastisja u kreu nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.

Gjatë kontrollit në banesë u gjetën dhe u sekuestruan rreth 178.72 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe 0.91 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë. Po ashtu, në vendin e ngjarjes u gjetën 350 euro dhe 60 franga zvicerane para të gatshme, si dhe një çelës i derës së banesës.

Gjatë operacionit u sekuestruan edhe:

Një armë zjarri automatike (dyshohet me gaz) e markës BLOW/SWAT, pa numër serik, me një karikator;

16 fishekë të kalibrit 9 mm;

Një rrotull letër alumini;

Një telefon celular.

Sipas Policisë, në banesë u gjetën edhe katër shishe të përgatitura në mënyrë artizanale (koktej molotovi), të dyshuara se përmbanin lëndë djegëse me mekanizëm ndezës. Për shkak të këtyre mjeteve të rrezikshme, në vendin e ngjarjes u ftuar edhe njësia EOD (për deminim), e cila i tërhoqi ato për trajtim dhe asgjësim të sigurt.

“Me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit për Krime të Rënda, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ai është dërguar në qendrën e ndalimit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Hetimet po vazhdojnë nga Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren.

Errët
Ndritshëm