Në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka nisur gjykimi ndaj Hashim Thaçi dhe katër të tjerëve për pengim të administrimit të drejtësisë.
Prokuroria ka paraqitur audio-incizime, për të cilat pretendon se dëgjohet Thaçi duke i dhënë udhëzime Fadil Fazliut për të ndikuar te dëshmitarët në rastin e tij për krime lufte. Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në një nga bisedat ai i kërkon që një dëshmitar të “deklarohet shkurt” dhe “të mos filozofojë”.
Prokurori Joshua Hafetz tha se provat mbështeten edhe nga materiale të sekuestruara gjatë bastisjeve në vitin 2023, përfshirë dokumente të grisura që, sipas ZPS-së, i përkisnin një dëshmitari të mbrojtur në rastin kryesor ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Kryeprokurorja Kimberly West deklaroi se Thaçi dyshohet për ndërhyrje sistematike ndaj dëshmitarëve dhe shkelje të urdhrave gjyqësorë, duke e quajtur këtë një përpjekje të vazhdueshme për të penguar procesin.
Në anën tjetër, mbrojtja i ka mohuar akuzat. Avokatët Isni Kilajt dhe Bashkim Smakajt thanë se nuk ka prova që klientët e tyre kanë ndikuar te dëshmitarët apo kanë zbatuar ndonjë “udhëzim” nga Thaçi gjatë vizitave në Hagë.
Përveç Thaçit, të akuzuar në këtë rast janë edhe Hajredin Kuçi dhe Fazliu. Të gjithë e kanë deklaruar veten të pafajshëm.
Thaçi ndërkohë është pjesë edhe e procesit të madh për krime lufte, ku bashkë me të janë të akuzuar edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Vendimi i shkallës së parë në atë rast pritet rreth majit 2026.