Errët
Ndritshëm

Ministria e Mbrojtjes planifikon nisjen e shërbimit ushtarak vullnetar

26.02.2026
637107747 1284359950540243 362311409366780801 N

Ministria e Mbrojtjes synon që gjatë këtij viti të nisë zbatimin e programit për shërbim ushtarak vullnetar, duke hequr dorë nga ideja e mëhershme për shërbim të detyrueshëm, për shkak të kostos së lartë financiare dhe sfidave organizative.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se projekti është pjesë e Programit Kombëtar për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse, i miratuar nga Qeveria në vitin 2024.

“Formati është i ndryshëm, por qëllimi mbetet i njëjtë – mbrojtja e territorit dhe e qytetarëve. Shërbimi vullnetar është më i përballueshëm financiarisht dhe më i përshtatshëm në aspektin ligjor”, ka theksuar Maqedonci.

Sipas tij, çdo qytetar do të mund të regjistrohet vullnetarisht dhe të bëhet pjesë e strukturave të Ushtrisë së Kosovës, paralelisht me angazhimet e tij profesionale.

Megjithatë, ish-komandanti i përgjithshëm i Forca e Sigurisë së Kosovës, gjenerali Kadri Kastrati, ka vlerësuar se Kosova aktualisht nuk ka infrastrukturën e nevojshme as për modelin e detyrueshëm e as për atë vullnetar.

Ai ka theksuar mungesën e kapaciteteve trajnuese dhe organizative, duke propozuar një model më fleksibil, të ngjashëm me atë që aplikohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku të rinjtë trajnohen periodikisht gjatë vikendeve dhe shërbejnë si rezervë potenciale.

Programi Kombëtar për Mbrojtje gjithëpërfshirëse është miratuar më 11 shtator 2024, ndërsa shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk është përfshirë në të, pavarësisht se kishte qenë një prej zotimeve të mëhershme të kryeministrit Albin Kurti.

Errët
Ndritshëm