Errët
Ndritshëm

Më 24 dhjetor nis gjykimi për sulmin në kanalin “Ibër-Lepenc”

11.12.2025

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar datën 24 dhjetor për fillimin e gjykimit ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viçentijeviq dhe Igor Dimoviq, të akuzuar për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit” në Varagë të Zubin-Potokut, më 29 nëntor të vitit 2024. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

Prokuroria Speciale, më 9 dhjetor të këtij viti, ngriti aktakuzë pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria Kundër Terrorizmit dhe partnerët evropianë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, së bashku me persona të tjerë ende të panjohur, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT në brendësi të kanalit, duke shkaktuar dëmtim të rëndë të strukturës së betonit, ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm, rrezikim të prodhimit të energjisë elektrike, si dhe dëm financiar prej 376,774.70 euro për ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”.

Vëllezërit Viçentijeviq akuzohen për rrezikim të rendit kushtetues në lidhje me kryerjen e veprës terroriste, si dhe për armëmbajtje pa leje, së bashku me Igor Dimoviqin. Ndërkohë, Jovan Viçentijeviq ngarkohet edhe me veprën penale të spiunazhit, pasi sipas Prokurorisë ishte i rekrutuar nga Shërbimi Informativ Ushtarak i Serbisë dhe kishte mbledhur informacione të klasifikuara për t’i përdorur në aktivitete të kundërligjshme në territorin e Kosovës.

Errët
Ndritshëm