Avni Qenaj, shtetas i Republikës së Kosovës, është ndaluar nga autoritetet serbe dhe i është caktuar 30 ditë paraburgim në Beograd, me pretendime për krime lufte të vitit 1999. Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Sipas MPJD-së, veprimi i Serbisë paraqet “vazhdimësi të praktikave të ndjekjes politike” ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave që ministria i cilëson si të “pabazuara dhe të motivuara politikisht”.
Qenaj u arrestua më 26 nëntor 2025 në pikëkalimin e Merdarës, ndërsa ishte në transit drejt Bosnjë e Hercegovinës, ku familja e tij ka një biznes. Pas ndalimit, ai u mbajt 48 orë në Prokuplje dhe më pas u transferua në Beograd. Më 28 nëntor, para gjykatësit serb të procedurës paraprake, u njoftua për hapjen e procedurës penale dhe vendimin për paraburgim.
Ambasadori i Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, e ka vizituar Qenajn në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime Lufte në Beograd, duke i ofruar mbështetje institucionale.
Qenaj ka deklaruar se gjatë arrestimit i është ushtruar presion psikologjik, por jo keqtrajtim fizik. Ai ende nuk është vizituar nga familjarët, ndërsa ata kanë angazhuar katër avokatë mbrojtës.
MPJD thotë se, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, do të vazhdojë monitorimin e rastit dhe ndërmarrjen e veprimeve diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të Qenajt dhe kundërshtimin e akuzave të cilat i quan politike.