Lionel Messi do të vazhdojë të shkëlqejë në futbollin amerikan. Ylli argjentinas ka zgjatur kontratën me Inter Miami deri në fund të vitit 2028, duke konfirmuar kështu qëndrimin e tij afatgjatë në Major League Soccer.
Sipas gazetës spanjolle El Nacional, fituesi i pesëfishtë i Topit të Artë do të përfitojë një pagë mes 50 dhe 60 milionë dollarë gjatë kësaj marrëveshjeje të re, duke mbetur lojtari më i paguar në historinë e kampionatit amerikan.
Klubi nga Florida ka bërë të ditur se marrëveshja përfshin edhe rol strategjik për Messin në projektin sportiv dhe zhvillimin e akademisë. Që nga ardhja e tij në verën e vitit 2023, Inter Miami ka përjetuar rritje të jashtëzakonshme në ndjekje, të ardhura dhe rezultate në fushë.
Në sezonin 2024/25, Messi luajti 43 ndeshje, duke shënuar 37 gola dhe dhënë 19 asiste, statistika mbresëlënëse që e konfirmojnë si motorin kryesor të skuadrës së David Beckham.
Falë ndikimit të tij, Inter Miami është bërë klub global, ndërsa MLS ka regjistruar shifra rekorde shikueshmërie dhe shitjesh fanellash. Me kontratën e re, argjentinasi synon të vazhdojë misionin për ta çuar futbollin amerikan në një nivel më të lartë dhe për ta mbyllur karrierën aty ku ka ndërtuar një trashëgimi të re.