Errët
Ndritshëm

Murati: Ekonomia e Kosovës vazhdon të rritet, Bajrami kundërpërgjigjet se është rritur inflacioni

20.09.2025

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ekonomia e Kosovës vazhdon të shënojë rritje.

Ai ka përmendur të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të publikuara dje, sipas të cilave Bruto Produkti Vendor (BPV) për tremujorin e dytë të vitit 2025 shënoi një rritje prej 4,58%, krahasuar me 4,32% të të njëjtit tremujor të vitit 2024, që tregon përshpejtim të rritjes ekonomike.

Sipas ASK-së, rritje kanë shënuar disa aktivitete ekonomike, përfshirë ndërtimtarinë (4,15%), aktivitetet financiare dhe të sigurimit (8,79%), aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike, shërbimet administrative dhe mbështetëse (4,27%), industrinë përpunuese (3,34%), administratën publike, arsimin, shëndetësinë dhe aktivitetet sociale (0,99%), tregtinë me shumicë dhe pakicë, transportin dhe akomodimin (3,62%), artin dhe argëtimin (2,83%), informacionin dhe komunikimin (2,38%), bujqësinë, pyjet dhe peshkimin (2,98%), si dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme (0,44%).

Ndërkaq, disa sektorë kanë shënuar rënie, si industria nxjerrëse, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër, furnizimi me ujë, si dhe menaxhimi i mbeturinave dhe rehabilitimi, me një ulje prej 6,79%.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i është përgjigjur deklaratës së Muratit. Në një status në Facebook, Bajrami ka bërë thirrje që të pyetet ministri për nivelin e inflacionit.

“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për muajin gusht 2025 inflacioni është 4.5% më i lartë se në muajin gusht 2024. Pyeteni Hekuran Muratin se çfarë lajmi është ky për Kosovën”, ka shkruar Bajrami.

Errët
Ndritshëm