Errët
Ndritshëm

Gaza nën sulm: Zhvendosja e detyruar kërcënon jetën e mijëra fëmijëve

06.09.2025

Të paktën 41 persona, mes tyre edhe kërkues ndihme, u vranë të shtunën nga sulmet izraelite.

Ushtria izraelite ka shënjestruar një ndërtesë banimi në qytetin e Gazës, ku strehoheshin dhjetëra familje palestineze të zhvendosura, pas lëshimit të urdhërave të rinj për evakuim të detyruar, raporton Al Jazeera.

Sulmet ndaj qendrës urbane veriore vazhduan deri në orët e hershme të së shtunës, ku raportohet se u goditën shtëpi palestineze me pasoja fatale.

Fushata e Izraelit për të zhvendosur me forcë palestinezët nga qyteti i Gazës përbën një “kërcënim të jashtëzakonshëm” për gati një milion njerëz, gjysma e të cilëve janë fëmijë, tha Tess Ingram, zëdhënëse e fondit të OKB-së për ndihmë të fëmijëve (UNICEF).

“Është e rëndësishme të kujtojmë se çdo i dyti person në Gaza është fëmijë, dhe jeta për ta po bëhet pothuajse e pamundur,” tha Ingram për Al Jazeera nga al-Mawasi, një zonë pranë qytetit jugor Khan Younis, ku Izraeli kishte shpallur më herët një të ashtuquajtur “zonë humanitare”.

Sipas saj, zona nuk është e sigurt për dy arsye: “Së pari, nuk ka infrastrukturën e nevojshme për të gjithë popullsinë e Gazës, është një vend shumë i vogël. Së dyti, nuk është e sigurt sepse bombardimet vazhdojnë. Vetëm katër ditë më parë, tetë fëmijë u vranë ndërsa prisnin për ujë.”

Që nga fillimi i luftës në tetor 2023, në Gaza janë vrarë të paktën 64,368 persona dhe janë plagosur 162,367 të tjerë, ndërsa mijëra të tjerë besohet se gjenden ende nën rrënoja.

Errët
Ndritshëm