Jack Grealish ka folur hapur për përjetimet e tij pas ndeshjes së parë me Evertonin në stadiumin e ri “Hill Dickinson”, duke pranuar se në vitet e fundit kishte humbur pjesërisht pasionin për futbollin.
“U ndjeva mirë sot. Në dy vitet e fundit ndonjëherë kam humbur pasionin për futbollin, jo plotësisht, por nuk e kam shijuar siç duhet, veçanërisht gjatë kohës në Manchester City”, tha ai për beIN Sports.
Mesfushori anglez shtoi se vendimi për t’u bashkuar me Evertonin kishte lidhje të drejtpërdrejtë me dëshirën për ta rikthyer këtë ndjesi.
“Gjëja më e rëndësishme për mua ishte të vija këtu dhe të shijoja çdo ditë lojën. E dua absolutisht futbollin dhe dua të rikuperoj atë emocionin e vërtetë kur mezi pret ditën e ndeshjes. Kështu u ndjeva sot”, deklaroi ai.
Grealish theksoi gjithashtu se edhe familja e kishte vërejtur ndryshimin gjatë kohës kur nuk po e shijonte futbollin, ndërsa tani ndjen se është rikthyer me pasion të plotë.