Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë se organet e drejtësisë kanë dëshmi që ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë Igor Popoviq, ka lidhje me Agjencinë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA.
Sipas Kurtit ai ka ushtruar aktivitete në dobi të BIA-s përfshirë incizimin e ilegal të bisedave të datës 17 shtator 2020 të cilat janë zhvilluar në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Kanë siguruar dëshmi për lidhjet e tij me Agjencinë për Siguri dhe Informim BIA dhe ushtrimin e aktiviteteve në dobi të saj e ndër to përfshihen edhe incizimi ilegal i bisedave të datës 17 shtator 2020 të cilat ajanë zhvilluar në Bruksel në objektin e BE-së në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, pastaj përpjekje për pengim dhe sabotim të drejtësisë dhe aktivitete të tjera të cilat cenojnë sigurinë kombëtare të vendit tonë”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Incizimi i bisedave në Bruksel sipas Kurti është “rast jashtëzakonisht serioz që shpërfaq një formë që nuk e kemi hasur më herët, qasjen sistematike destruktive, minuese e sabotuese të Serbisë në raport me palët, ndërmjetësuesin dhe vet procesin e ndërmjetësuar nga Brukseli”.