Errët
Ndritshëm

Ngërç total në Kuvend, as sot s’u bë punë

09.07.2025

AAs përpjekja e 44-të nuk solli ndonjë rezultat. Kuvendi prapë mbeti i pakonstituar.

Edhe të mërkurën, ngecja ishte te votimi për formimin e një komisioni të fshehtë që do t’i hapte rrugë zgjedhjes së kryeparlamentarit.

Ani pse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, u bëri thirrje opozitës të marrë pjesë në votim, kjo nuk kreu punë.

“Sot të marrin pjesë në votim – pro, kundër apo abstenim – dhe të tejkalohet ky ngërç. Kjo është më e thjeshta,” tha ajo.

Në sallë ishin 101 deputetë, vetëm 55 votuan për.

Para se të dështonte, pati disa përplasje. Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, kërkoi që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe që votimi të bëhet i hapur. Fjalimi i tij u ndërpre në gjysmë.

Pastaj tentoi të fliste Paris Guri nga LDK-ja, por u ndërpre nga deputetët e VV-së. Ai i kërkoi me ngulm Fitore Pacollit “t’i kthejë 200 mijë eurot që i ka vjedhur”, duke aluduar për grantet e Ministrisë së Bujqësisë.

Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, i bëri thirrje Albin Kurtit “ta zhbllokojë situatën”.

Pas dështimit të seancës, deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk dolën nga salla, si shenjë proteste për, siç thanë ata, “shkeljen e aktgjykimit të Kushtetueses nga VV-ja”.

Errët
Ndritshëm