Qendërmbrojtësi i Romës, Evan N’Dicka, është futur në radarin e gjigantit spanjoll Real Madrid, ndërsa e ardhmja e tij në kryeqytetin italian mbetet e pasigurt.
Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, madrilenët po shqyrtojnë mundësinë e afrimit të 24-vjeçarit nga Bregu i Fildishtë, i cili u transferua te Roma si lojtar i lirë në verën e vitit 2023, pas një periudhe të suksesshme me Eintracht Frankfurt.
Pavarësisht se është kthyer në një titullar të rëndësishëm në formacionin verdhekuq, N’Dicka vazhdon të përflitet për një largim të mundshëm nga Serie A. Roma, megjithatë, nuk ka ndërmend të lejojë largimin e tij pa një shumë të konsiderueshme , 40 milionë euro është çmimi i vendosur për mbrojtësin shtatlartë.
Gjatë sezonit të fundit, N’Dicka u paraqit në plot 51 ndeshje në të gjitha garat, duke kontribuar me një gol dhe dy asiste. Forma e tij konsistente dhe fuqia fizike në prapavijë kanë bërë që interesimi për të të shtohet nga disa klube elitare evropiane.
Mbetet të shihet nëse Real Madridi do të jetë i gatshëm të paguajë shumën e kërkuar, apo nëse N’Dicka do të vazhdojë të mbrojë ngjyrat e Romës edhe në sezonin e ardhshëm.