Errët
Ndritshëm

Lëshohet urdhërarrest për Milan Radoiçiq

18.06.2025

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke lëshuar urdhërarrest ndaj Milan Radoiçiqit dhe 10 të dyshuarve tjerë lidhur me rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore, në vitin 2022.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, respektivisht prokurorit të rastit për lëshimin e letër-rreshtimit vendor dhe atij ndërkombëtar ndaj Milan Radojiçiq. Urdhërarresti është lëshuar në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u ndërmarrë në rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore në vitin 2022. Përveç Radojiçiq, PSRK-ja ka lëshuar urdhërarrest edhe ndaj 10 personave tjerë të dyshuar në këtë rast”, tha Luta.

Ajo shtoi se janë duke u hetuar rreth 50 persona, për veprat penale: “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, “Thirrje për rezistencë” dhe “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”.

“Ndërsa për veprimet tjera publiku do të njoftohet në kohë, pasi duke pasur parasysh se rasti është në fazën e hetimeve, aktualisht nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, tha Luta.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë edhe më 27 mars 2025 ka lëshuar urdhërarrest ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 të dyshuarve tjerë për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Edhe për rastin “Banjska“, ndaj Radoiçiqit dhe 41 të pandehurve tjerë është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar, ku pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre./BetimipërDrejtësi

Errët
Ndritshëm