Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka konfirmuar se do të kandidojë për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa i ka bërë thirrje kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, që të japë dorëheqje.
Rama ka thënë se e sheh veten si kandidat për këtë pozitë, duke përmendur fitoren në Prishtinë në dy palë zgjedhje.
“A keni dëgjuar që kam thënë se po? Do të jem kandidat për kryetar të LDK-së. Jam dëshmuar në Prishtinë, jam rizgjedh, e kam pru LDK-në të parën në Prishtinë. Mendoj që kishte bërë mirë të dorëhiqet Abdixhiku. Ashtu duhet me bë”, ka deklaruar Rama.
Rama ishte prezantuar si kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës nga vetë Abdixhiku në vitin 2021. Në atë kohë, ai nuk kishte karrierë politike dhe njihej kryesisht si arkitekt e urbanist me përvojë ndërkombëtare.
Ai fitoi zgjedhjet lokale në vitin 2021 dhe u rizgjodh në vitin 2025, nën siglën e LDK-së. Megjithatë, Rama ka përsëritur vazhdimisht se nuk është anëtar i kësaj partie.
Ambiciet e tij për ta drejtuar LDK-në kanë nxitur reagimin e Abdixhikut. Ditë më parë, kryetari aktual publikoi një fotografi me një filxhan ku ishte portreti i presidentit historik Ibrahim Rugova, me mbishkrimin: “LDK vetëm e LDK-së”.
Abdixhiku u zgjodh kryetar i LDK-së më 14 mars 2021, në zgjedhjet e brendshme të jashtëzakonshme, ndërsa në nëntor 2023 u konfirmua në këtë pozitë përmes zgjedhjeve të rregullta.
Pas rezultatit të LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, ai ofroi dorëheqjen dhe ia la vendimin Kuvendit të partisë. Më 31 janar 2026, Abdixhiku i mbijetoi votëbesimit, sikurse edhe më 30 korrik të po këtij viti.
Në tri palë zgjedhje parlamentare, nën drejtimin e Abdixhikut, LDK-ja është renditur e treta.