Errët
Ndritshëm

Rama vendos sërish karrige para Kryeministrisë, paralajmëron protestuesit

21.10.2026

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vendosur sërish karrige para Kryeministrisë, duke lënë mbi to fletët me ftesën për dialog me protestuesit.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama shihet duke rregulluar karriget, ndërsa thotë se asnjë arsye nuk e justifikon dhunën.

Ai deklaroi se një ditë më parë dialogu u refuzua nga protestuesit, të cilët grisën letrat dhe përmbysën karriget e vendosura para ndërtesës së Qeverisë.

“Ka 1001 pakënaqësi, halle e probleme, arsye për të protestuar. Por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun”, tha Rama.

Ai paralajmëroi se personat që shkaktojnë dëme do të përballen me pasoja ligjore dhe financiare.

“Çdo dhunues do të marrë përgjigje. Përgjigjja do të jetë ligjore, do të jetë financiare. Kush shkatërron, do të paguajë. Shqipëria është e të gjithëve”, deklaroi kryeministri.

Rama tha se ftesa për dialog mbetet e hapur, duke i vendosur sërish karriget para Kryeministrisë.

Errët
Ndritshëm