Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, është përplasur me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua për Kosovën.
Konjufca e kritikoi Gjuriqin për fotografitë me Milan Radoiçiqin, të cilin e cilësoi si përgjegjësin kryesor për sulmin në Banjskë, si dhe për deklaratat e tij lidhur me incidentet fetare në Kosovë.
Ai i tha shefit të diplomacisë serbe se nuk mund të flasë për të ardhmen evropiane të Serbisë, ndërsa takohet me Radoiçiqin.
“Kur flasim për të ardhmen evropiane, për të cilën ministri Gjuriq shprehet aq i obsesionuar, dua t’i jap një këshillë: të mos takohet me Radoiçiqin. Ai është person që kërkohet nga Interpoli. Kur e shohim ministrin e një shteti kandidat për integrim në BE duke u takuar me një person të tillë, nuk e di për çfarë integrimi evropian apo të ardhme po flasim”, deklaroi Konjufca.
Përplasja mes tyre vazhdoi edhe për çështjet fetare. Pasi Gjuriq përmendi disa incidente fetare në Kosovë, Konjufca tha se vendi është shembull i bashkëjetesës shumëetnike dhe harmonisë fetare.
Ai përmendi edhe zgjedhjen e presidentes Justina Shiroka-Pula, duke iu referuar asaj si përfaqësuese të besimit katolik.
“Si mund të jemi shtet ekstremist në aspektin fetar kur ne rishtazi kemi zgjedhur një presidente që vjen nga feja katolike?”, tha Konjufca.
Më pas, ai iu referua Masakrës së Mejës, ku më 1999 u vranë 377 shqiptarë, duke thënë se shumica e viktimave ishin të besimit katolik.
“Kjo është kur flasim se sa Serbia e mbron krishterizmin në botë”, deklaroi ai, duke akuzuar Serbinë për shfrytëzimin e çështjeve fetare për të nxitur përçarje etnike.
Konjufca e akuzoi gjithashtu Serbinë për vazhdimin e asaj që e quajti luftë hibride, përmes nxitjes së incidenteve të rreme fetare.
Gjatë mbledhjes, ai tha se Serbia ka vrarë 12 mijë njerëz të paarmatosur e të pafajshëm në Kosovë, duke kritikuar Gjuriqin për atë që e cilësoi si heshtje ndaj krimeve serbe gjatë luftës.
“Kjo quhet mohim i drejtësisë”, tha Konjufca.