Errët
Ndritshëm

Përparim Rama akuzon Abdixhikun: Po negocion me VV-në për të ma marrë shumicën në Prishtinë

21.10.2026

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, se ka udhëzuar asamblistët e kësaj partie në kryeqytet të negociojnë me Vetëvendosjen për t’ia marrë shumicën në Kuvendin Komunal.

Rama tha se Abdixhiku i ka kërkuar shefit të asamblistëve të LDK-së në Prishtinë, Egzon Pacollit, të negociojë me Gëzim Sveçlën nga Vetëvendosje.

“Jo siç po dëgjoj që ka thirrë shefin e asamblistëve të LDK-së, Egzon Pacollin, ‘shko negocio me Gëzim Sveçlën’ për me ia marrë shumicën Përparim Ramës. Domethënë, çka me i thanë atij?”, deklaroi Rama.

Kreu i Prishtinës tha gjithashtu se Abdixhiku duhet t’ia lëshojë vendin dikujt tjetër në krye të LDK-së, duke përmendur rezultatet e partisë në tri palë zgjedhje.

“Jam mundu me i ndihmu kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që njëherë ka dalë i treti, dy herë vendin e tretë, tri herë vendin e tretë. Edhe mendoj që njeri normal me një mendësi të shëndoshë duhet me lëshu vend për dikë tjetër për me e shty procesin përpara. Është djalë i ri. Ka mundësi me reflektu”, tha Rama.

Deri më tani, në deklaratat e paraqitura në këtë rast nuk përfshihet ndonjë reagim i Abdixhikut lidhur me akuzat e Ramës.

Errët
Ndritshëm