Është kompletuar pjesa e Kuvendit të Kosovës në grupin punues që do të hartojë dhe harmonizojë strategjinë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia e Kuvendit ka vendosur që institucioni të përfaqësohet nga nënkryetarja Vlora Çitaku.
Pjesë e këtij grupi do të jenë edhe deputetët Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, Uran Ismaili nga PDK-ja, Kujtim Shala nga LDK-ja dhe Bekë Berisha nga Aleanca.
Ndërkaq, Qeveria ka bërë të ditur më herët se grupi do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë, Glauk Konjufca.
Ende nuk është bërë e ditur se kush do ta përfaqësojë Presidencën në këtë grup punues.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për themelimin e grupit, duke thënë se Kuvendi do të japë kontributin e tij në këtë proces.
Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se në grup do të ftohen edhe ekspertë të fushave të ndryshme.