Errët
Ndritshëm

Supremja e kthen në rigjykim rastin e 32 milionë eurove për NPB-në

16.10.2026

Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim në shkallën e parë rastin gjyqësor mes Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) dhe kompanive Made Group Construction, Madecos dhe Arkos, në të cilin NPB-ja ishte obliguar të paguante rreth 32 milionë euro.

Gjykata Komerciale, në dy shkallët e saj, kishte vendosur që NPB-ja t’ua paguante kompanive këtë shumë, me kamatë ligjore prej 8 për qind, për kontestin që lidhet me kontratën e 17 majit 2021 për ndërtimin e përbashkët të një objekti banesor në lagjen Lakrishtë të Prishtinës.

Kompanitë pretendonin se NPB-ja nuk ua kishte mundësuar qasjen në pronë dhe fillimin e punimeve ndërtimore, duke shkelur kështu detyrimet kontraktuese.

Megjithatë, Gjykata Supreme ka konstatuar shkelje thelbësore procedurale dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale nga të dy shkallët e Gjykatës Komerciale.

Sipas Supremes, vendimet e mëparshme nuk i kanë arsyetuar mjaftueshëm faktet vendimtare, pretendimet e palëve dhe mënyrën se si është llogaritur kompensimi për fitimin e humbur.

“Vetëm ekzistimi i një projekti, i një marrëdhënieje juridike apo i pritshmërive për realizimin e të ardhurave nuk mjafton për të konstatuar fitimin e humbur”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Supremja ka vlerësuar gjithashtu se Gjykata Komerciale e kishte tejkaluar kërkesëpadinë duke konstatuar se kontrata ishte shkëputur, ndonëse një kërkesë e tillë nuk ishte paraqitur nga palët në këtë kontest. Ky vendim, sipas saj, mund të ndikonte edhe në një çështje tjetër gjyqësore që lidhet me anulimin e së njëjtës kontratë.

Një tjetër shkelje e evidentuar ishte refuzimi i kërkesës së NPB-së për paraqitjen e kundërpadisë, pa u vlerësuar kushtet konkrete ligjore.

Me vendimin e datës 16 tetor 2026, Gjykata Supreme e ka kthyer çështjen në rigjykim, ku Gjykata Komerciale duhet t’i shqyrtojë sërish pretendimet e palëve dhe të japë arsyetim të bazuar në prova e fakte.

Errët
Ndritshëm