Errët
Ndritshëm

127 të arrestuar dhe 120 policë të lënduar nga protestat në Shqipëri

16.10.2026

127 persona janë arrestuar në Tiranë, ndërsa 244 të tjerë janë proceduar penalisht pas protestave të dhunshme të ditëve të fundit në Shqipëri.

Shifrat i bëri të ditura drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, i cili njoftoi se nga dhuna në disa qytete të vendit janë lënduar 120 pjesëtarë të Policisë.

Sipas tij, në Durrës janë arrestuar 23 persona dhe 12 të tjerë janë proceduar penalisht. Në Korçë janë arrestuar dy persona, ndërsa 23 janë proceduar në gjendje të lirë.

Në Vlorë janë proceduar 20 persona, në Shkodër nëntë, në Elbasan gjashtë dhe në Kukës dhjetë të tjerë.

Gjatë protestës në Shkodër, një zyrtar policor është plagosur rëndë dhe po trajtohet në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ziu tha se personi i dyshuar për plagosjen është identifikuar, por nuk është arrestuar për shkak të moshës.

Ndërkohë, Policia ka nisur hetime edhe për thirrjet për dhunë dhe akte terroriste në rrjetet sociale. Sipas Ziut, janë identifikuar kanale dhe grupe komunikimi ku janë shpërndarë kërcënime ndaj pjesëtarëve të Policisë së Shtetit.

Ai bëri të ditur se po bashkëpunojnë me agjenci ndërkombëtare për identifikimin e administratorëve dhe përdoruesve të këtyre kanaleve.

Ziu u bëri thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, duke theksuar se e drejta për protestë nuk mund të përdoret si arsyetim për shkatërrimin e pronës publike dhe private.

Ai gjithashtu tha se policëve u është kërkuar të tregojnë vetëpërmbajtje dhe proporcionalitet gjatë ndërhyrjeve.

Gjatë katër ditëve të fundit, ndërkohë, janë raportuar edhe raste të përdorimit të dhunës nga policia ndaj qytetarëve.

Errët
Ndritshëm