Argjentina nuk do të luajë më në stadiumin e River Plate.
Federata e Futbollit të Argjentinës (AFA) ka vendosur të mos e përdorë më stadiumin “Monumental”, me kapacitet mbi 80 mijë spektatorë, pas një konflikti me drejtuesit e klubit, raporton “La Nación”.
Marrëdhëniet mes presidentit të AFA-s, Claudio Tapia, dhe River Plate u përkeqësuan gjatë muajve të fundit. Përplasja përfundimtare erdhi pas ceremonisë së lamtumirës së Lionel Messit me kombëtaren, më 6 tetor.
Organizimi i ngjarjes u shoqërua me probleme, pasi stadiumi nuk kishte ekran të madh dhe skenë për performancat muzikore. Kompania organizatore “Marketing Sports” akuzoi klubin se kishte vendosur kufizime, përfshirë ndërprerjen e energjisë elektrike gjatë performancave të artistëve.
River Plate i ka mohuar këto pretendime, duke thënë se organizatorët ishin njoftuar paraprakisht për çmontimin e ekranit dhe se takimi për organizimin e ngjarjes ishte mbajtur vetëm një ditë para ceremonisë.
Një tjetër moment që ka thelluar përplasjen ishte fakti se Tapia nuk doli në fushë për ta nderuar Messin. Në vend të tij, presidenti i River Plate, Stefano Di Carlo, ia dorëzoi futbollistit një dhuratë përkujtimore në zyrën e tij.
Sipas “La Nación”, në AFA besojnë se rikthimi i marrëdhënieve me klubin tashmë është i pamundur.
Si alternativë për ndeshjet e ardhshme si vendase, po shqyrtohet stadiumi i rindërtuar “Ciudad de La Plata”.
Megjithatë, ende nuk janë caktuar ndeshjet e ardhshme të Argjentinës si vendase.