Errët
Ndritshëm

Flick e konfirmon: Rafinha mungon në dy ndeshjet e ardhshme të Barcelonës

09.10.2026

Barcelona nuk do të mundë të llogarisë në Rafinhën për dy ndeshjet e ardhshme kundër Getafes, më 10 tetor, dhe Galatasarayt, më 13 tetor.

Lajmin e ka konfirmuar trajneri Hansi Flick, i cili ka bërë të ditur se sulmuesi nuk ka pësuar lëndim, por klubi dëshiron të shmangë rrezikun.

“Rafinha nuk ka lëndim, por duhet të jemi të kujdesshëm, sepse vitin e kaluar pësoi tri lëndime. Duhet ta mbrojmë. Ai nuk do të luajë nesër dhe as në ndeshjen kundër Galatasarayt”, citohet të ketë thënë Flick nga shërbimi për media i Barcelonës.

Pas ndeshjes së Brazilit kundër Australisë, ishte ngritur dyshimi se Rafinha kishte pësuar një lëndim në kofshë. Për këtë arsye, ai u largua nga grumbullimi i kombëtares, por ekzaminimet mjekësore nuk zbuluan ndonjë dëmtim.

Madje, mediat spanjolle raportuan se sulmuesi do të ishte i gatshëm për ndeshjen ndaj Getafes.

Megjithatë, Flick ka vendosur të mos rrezikojë me 29-vjeçarin, i cili ka pasur një fillim të shkëlqyeshëm të sezonit.

Rafinha ka shënuar 14 gola dhe ka dhënë tri asistime në tetë ndeshje. Për më tepër, ai u shpall lojtari më i mirë i La Ligës për muajt gusht dhe shtator.

Errët
Ndritshëm