Errët
Ndritshëm

Kosova importoi 568 milionë euro më shumë se sa eksportoi në gusht

23.09.2026

Kosova ka importuar shumë më tepër mallra sesa ka eksportuar gjatë gushtit të këtij viti.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deficiti tregtar në gusht arriti në 568 milionë euro.

Gjatë këtij muaji, Kosova eksportoi mallra në vlerë prej 100.5 milionë eurosh, apo 31.9 për qind më shumë se në gushtin e vitit të kaluar.

Në anën tjetër, importet arritën në 668.5 milionë euro, me një rritje prej 9 për qind krahasuar me gushtin e vitit 2025.

Kjo do të thotë se eksportet mbuluan vetëm rreth 15 për qind të importeve.

Deficiti tregtar është rritur edhe krahasuar me një vit më parë. Në gushtin e vitit 2025, ai ishte 536.8 milionë euro, ndërsa këtë vit është rritur për 5.8 për qind.

Në eksportet e Kosovës, pjesën më të madhe e zënë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, me 21.8 për qind. Pas tyre janë produktet minerale me 15.5 për qind dhe ushqimet e përgatitura, pijet e duhani me 13.3 për qind.

Ndërsa te importet, pjesën më të madhe e përbëjnë produktet minerale, me 19.8 për qind. Pas tyre renditen ushqimet e përgatitura, pijet e duhani me 13.1 për qind, mjetet e transportit me 11.7 për qind dhe makineritë e pajisjet me 11.5 për qind.

Sa i përket tregtisë me Bashkimin Evropian, Kosova eksportoi mallra në vlerë prej rreth 30 milionë eurosh, që përbëjnë 30.2 për qind të eksporteve të përgjithshme.

Ndërsa nga vendet e BE-së Kosova importoi rreth 279 milionë euro mallra, apo 41.7 për qind të importeve të përgjithshme.

Gjermania ishte një nga partnerët kryesorë në të dyja anët e tregtisë: për eksportet me 10.2 për qind, ndërsa për importet me 13.6 për qind.

Errët
Ndritshëm